Njëri nga lojtarët më të trofeshëm në Kosovë, Bahar Maliqi ka njoftuar zyrtarisht pensionimin nga futbolli aktiv.
Pas më shumë se 20 vitesh karrierë në futbollin e Kosovës, por edhe për një kohë të shkurt në Shqipëri, Maliqi ka vendosur t’i varë këpucët në gozhdë.
Ish-mesfushori i klubeve të mëdha si Prishtina, Partizani, Feronikeli e Llapi ka njoftuar pensionimin me anë të profilit zyrtar të Facebook.
Maliqi nuk ka hezituar t’i falënderoj të gjithë ish-bashkëlojtarët, trajnerët dhe tifozët e klubeve ku ka luajtur, ndërsa ka treguar se ishte nder dhe privilegj veshja e fanellës së Kosovës.
Postimi pa ndërhyrje i Behar Maliqit
Të dashur familjarë dhe miq,
Sot dua t’ju informoj për një vendim shumë të rëndësishëm. Pas një karriere të gjatë prej më shumë se 20 vitesh në futboll, kam vendosur të tërhiqem nga futbolli aktiv.
Gjatë kësaj periudhe si lojtar aktiv, kam fituar shumë. Kam përjetuar momente të paharrueshme, kam krijuar miqësi të shumta dhe kujtime që do t’i mbaj mend gjithmonë. Veshja e fanellës së përfaqësueses së Kosovës, ishte një ndër arritjet më të mëdha, ishte nder dhe privilegj që të përfaqësoje vendin tim.
Dua të falënderoj në radhë të parë familjen time dhe shoqërinë për mbështetjen gjatë gjithë karrierës sime. Po ashtu dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e karrierës sime: të gjithë klubet që më kanë besuar fanellën e tyre (KF Feronikeli 74, KF Prishtina, KF Llapi, KF Malisheva, FK Partizani, KF Fushë Kosova, KF Keku, KF Airoporti), të gjithë trajnerët, të gjithë bashkëlojtarët dhe patjetër edhe gjithë tifozët për përkrahjen.
Faleminderit edhe njëherë për të gjitha emocionet.
Behar Maliqi
/LEXOSHPEJT/