Tubimi i madh me struktura mbylli Javën e Lëvizjes

Tubimi i madh me struktura mbylli Javën e Lëvizjes

Sot, si rrallëherë salla 1 Tetori u mbush me qindra aktiviste dhe aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me miq të saj, me përfaqësues të saj në legjislativ dhe ekzekutiv të vendit, nga komunat e nga qeveria e Republikës, të cilët u mblodhën për të shënuar tubimin e madh të mbylljes së Javës së Lëvizjes, 19 vjetorin e organizatës tonë, dhe për ta bërë të zëshëm zotimin tonë për angazhim e punë drejt fitoreve të mëtejme të vendit dhe shoqërisë, të qytetarëve e të Republikës, të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet që po vijnë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, dhe Kryeministri, njëherazi Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, e mbajtën nga një fjalë rasti në këtë tubim madhështor.

Kryetari Konjufca në fjalën e tij uroi të gjithë të pranishmit për 19 vjetorin e Lëvizjes. Ai tha se populli, aktivisti, dhe veprimtari me ditëlindje sot, Ukshin Hoti, janë tri subjektet që duhen falënderuar për ecjen e suksesshme të Lëvizjes tonë.

“19 vite rrugëtuam së bashku, 19 vite kaluam nëpër të gjitha vështirësitë e mundshme, nëpër plotë beteja politike dhe ja tek jemi pas 19 vitesh Lëvizja më e madhe shqiptare dhe duke shikuar sigurtë drejt fitoreve të reja. Falënderimi i parë për gjithçka të bukur që kemi arritur së bashku i takon popullit tonë të dashur e të vuajtur, të cilit ne si Lëvizje gjithmonë i qëndruam pranë por i cili po ashtu nuk na braktisi neve kurrë. Falënderimi i dytë i takon aktivistit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, atij aktivisti të thjeshtë të cilin nuk e ndali dot asnjë furtunë politike, atij aktivisti që me plotë vetëmohim dha gjithçka duke përfshirë edhe jetën e tij si Arbënori e Astriti, si Arben Xheladini dhe Mon Balaj, dhe të tjerë që dhanë gjithçka nga vetja në përpjekjen tonë të përbashkët për ta bërë Kosovën të lirë e të fuqishme.”

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, foli për arritjet e qeverisjes duke theksuar katër padrejtësi që morën fund me qeverisjen tonë.

“Ka qenë e padrejtë që sistemi ynë i mbrojtjes sociale, i dobët ashtu siç ishte, më së paku përqendrohej te ata që kanë më së shumti nevojë për shtetin – te familjet e varfra, edhe më pak ofronte për pjesën më të madhe të popullatës tonë gratë dhe fëmijët. Shtimi i skemave për fëmijët dhe lehonat nga njëra anë, dhe reformimi rrënjësor i skemave sociale që tanimë ka filluar nga ana tjetër, janë ndërhyrje të pakthyeshme që e përmirësojnë sistemin njëherë e përgjithmonë. Ka qenë e padrejtë që ndërmarrjet tona që kanë punuar me nderë dhe kanë paguar tatimet me rregull janë përballur me konkurrencë jo-fer nga disa të tjera si pasojë e korrupsionit dhe informalitetit. Eliminimi i korrupsionit në nivel qendror dhe lufta ndaj korrupsionit, evazionit fiskal dhe kontrabandës në çdo kufi e çdo cep të vendit e ka bërë konkurrencën më të barabartë. Ka qenë e padrejtë që shkollimi tek ne nuk ka promovuar punësimin, konkurrueshmërinë dhe inovacionin, sistemi dual tashmë në 12 profile dhe 14 komuna ndihmon ka qenë një hap që ka ndihmuar zhvillimin e shkathtësive dhe ngritjen e punësimit. Ka qenë e padrejtë që qytetarët e Kosovës të mos kenë furnizim të rregullt me energji elektrike, as planifikim e as investim në këtë sektor të rëndësishëm. Përkrahja e mbi 30 mijë familjeve për të bërë investime që u mundësojnë komforin e të ulin shpenzimet për energjinë në pajisje efiçente, sisteme solare, izolim të shtëpive është shembulli më i mirë i zotimit që kemi bërë në strategjinë tonë të energjisë që qytetari është në qendër të sektorit të energjisë dhe askush nuk do të lihet pas deri sa të ndërtojmë sistemin tonë energjetik modern”, tha Rizvanolli.

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, foli për rrugëtimin e saj me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dhe ndryshimet e synuara dhe të realizuara lehtë falë Lëvizjes.

“Lëvizja më ka mësuar shumë, ajo të mëson se gjithçka është e mundshme, të jep shumë e të bënë pjesë të saj në betejën për ndryshimin e vendit. Kur jemi bashkë dhe qëllimin e kemi të thjeshtë: t’i shërbejmë këtij populli gjithçka bëhet e mundshme, kjo të bënë krenare të jesh pjesë e Lëvizjes për ditë. Sot përveç se kujtojmë dhe festojmë angazhimin tonë, kujtojmë dhe nderojmë ata që s’janë më me ne e që na kanë mundësuar t’i shërbejmë vendit. Bashkë me aktivistet e aktivistët Lëvizja do të ketë një jetë të gjatë në shërbim të atdheut”, tha nënkryetarja e Kuvendit, Bogujevci.

Kryeministri Kurti foli për strukturimin politik të organizatës, dhe duke kujtuar vitin tjetër që do të jetë vit i zgjedhjeve por edhe vit jubilar i 20 vjetorit të Lëvizjes VETVENDOSJE!, ai u shërbye me një shembull nga futbolli për të uruar që Lëvizja VETËVENDOSJE! ta fitojë edhe kampionatin edhe kupën!.

“Të dashur shoqe dhe shokë të Lëvizjes, çdo vit e më shumë, strukturimi ynë forcohet dhe zgjerohet. Numri i anëtarësisë së Lëvizjes sot është mbi 60.500 anëtarë. Anëtarësia jonë është e shtrirë në rreth 1120 fshatra dhe lagje të qyteteve, dhe puna për strukturim në pika e në qendra, vazhdon. Kjo është një punë që kurrë nuk duhet të ndalet, pasi strukturimi politik është strukturim i frymës dhe i idesë. Nuk është si ndërtesat, të cilave pasi ua ngre themelet, muret e kulmin, qëndrojnë vetë. Strukturimi politik ka vazhdimisht nevojë për diskutime, lexime, takime, aktivitete, debate. Aty fillon demokracia e vërtetë. Ata që thonë se demokracia ndodh jashtë partive, gabohen. Në vendet ku nuk ka parti politike, apo ku partitë politike nuk janë demokratike, aty nuk ka as demokraci. Prandaj, kur punojmë për të rritur strukturimin demokratik brenda subjektit tonë, në fakt punojmë dhe kontribuojmë për të rritur dhe forcuar demokracinë në Kosovën tonë, në shoqëri dhe brenda kombit tonë”. tha ai.

“Të dashur aktivistë e miq të Lëvizjes, në vitin 2025 do t’i kemi zgjedhjet e ardhshme lokale përveçse do ta kremtojmë 20 vjetorin e Lëvizje VETËVENDOSJE!, por patjetër do t’i kemi edhe ato parlamentare meqë opozita nuk mund t’i shtyjë pafundësisht. Meqë tash jemi në periudhën e emocioneve futbollistike, dhe të gjithë po shohim me shumë kënaqësi Shqipërinë tonë që i urojmë fitore në Gjermani, më lejoni ta marr një shembull nga futbolli edhe për zgjedhjet që do të jenë në vitin 2025. Le ta marrim si shembull një ekip të suksesshëm futbolli, fjala vjen Ballkanin e Suharekës. Le ta fitojë Vetëvendosja në 2025 edhe kampionatin edhe kupën. Kjo kërkon të jemi të gatshëm dhe të përshtatshëm, të guximshëm dhe të disiplinuar, për lojë ekipore por edhe për shkëlqim individual. Jam i sigurt që bashkë me ju, do t´ia dalim. Kosova ka nevojë për zhvillim e ndryshim sa më të shpejtë, për sovranitet e demokraci sa më të fortë, për identitet e bashkim sa më të madh, dhe këtë mision do ta realizojmë vetëm së bashku, me nder e punë, gjithnjë, kudo, të gjithë ne.”, tha Kryeministri Kurti.

Related Posts
Lexo më shumë

𝐓𝐞𝐥𝐞𝐠𝐫𝐚𝐦 𝐧𝐠𝐮𝐬𝐡ë𝐥𝐥𝐢𝐦𝐢 𝐩ë𝐫 𝐧𝐝𝐚𝐫𝐣𝐞𝐧 𝐧𝐠𝐚 𝐣𝐞𝐭𝐚 𝐭ë 𝐢𝐬𝐡-𝐡𝐞𝐧𝐝𝐛𝐨𝐥𝐥𝐢𝐬𝐭𝐢𝐭, 𝐀𝐳𝐢𝐳 𝐌𝐚𝐤𝐢𝐪𝐢

𝐓𝐞𝐥𝐞𝐠𝐫𝐚𝐦 𝐧𝐠𝐮𝐬𝐡ë𝐥𝐥𝐢𝐦𝐢 𝐩ë𝐫 𝐧𝐝𝐚𝐫𝐣𝐞𝐧 𝐧𝐠𝐚 𝐣𝐞𝐭𝐚 𝐭ë 𝐢𝐬𝐡-𝐡𝐞𝐧𝐝𝐛𝐨𝐥𝐥𝐢𝐬𝐭𝐢𝐭, 𝐀𝐳𝐢𝐳 𝐌𝐚𝐤𝐢𝐪𝐢 E nderuara familja, Makiqi Me pikëllim të thellë…