Televizioni zviceran SRF me kronikë për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës

SRF i ka kushtuar një kronikë të gjerë që ka filluar sonte dhe do të emetohet në katër pjesë, ditëve të ardhshme.

Kosova, 25 vite pas luftës dhe raportet e saj me Zvicrën. Kjo ishte tema të cilës magazina informative “10vor10”, emisioni më i shikuar i televizionit publik të Zvicrës SRF, i ka kushtuar një kronikë të gjerë që ka filluar sonte dhe do të emetohet në katër pjesë, ditëve të ardhshme.

Kronika fillon me konstatimin se marrëdhëniet e Zvicrës me Kosovën nuk fillojnë nga vitet `90, me luftën në Kosovë.

Ato datojnë së paku që nga fillimi i viteve `60 të shekullit të kaluar, kur në Zvicër fillojnë të vijnë shqiptarët nga ish Jugosllavia, në kuadër të kontingjenteve të “gastarbajterëve”, punëtorëve fizikë të rekrutuar nga entet e punës, si punëtorë krahu, njofton Albinfo.ch.

Si ilustrim, kronika tregon një video nga viti i largët 1979 të emetuar atëbotë në SRF, me protagonist një punëtor nga Gjilani, në Cyrih. Z. Krasniqi atëbotë punonte në ndërtim dhe qëndronte në Zvicër si sezonier, ashtu sikur të gjithë punëtorët e huaj asokohe.

Në emisionin e tanishëm gazetarët kanë kontaktuar nipërit e z. Krasniqi, studentë si pjesëtarë tashmë të brezit të tretë, në Zvicër, të cilët evokojnë kujtimet nga gjyshi i tyre, tashmë i ndjerë.

Në këtë kronikë i jepet fjala edhe ish ministres së jashtme të Zvicrës, Micheline Calmy Rey, e cila për shumëkë identifikohet si figura më meritore zvicerane e më gjerë, për sensibilizimin e çështjes së pavarësisë së Kosovës.

Ajo flet për misionin e saj dhe për respektin që gëzon në mesin e shqiptarëve në Kosovë dhe në Zvicër.

Në pjesën e kronikës që emetohet nesër, do të bëhet fjalë për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve dhe për shqiptarët që janë kthyer nga Zvicra në Kosovë për të ndërtuar jetën e tyre në vendlindje.

Related Posts
Lexo më shumë

𝐓𝐞𝐥𝐞𝐠𝐫𝐚𝐦 𝐧𝐠𝐮𝐬𝐡ë𝐥𝐥𝐢𝐦𝐢 𝐩ë𝐫 𝐧𝐝𝐚𝐫𝐣𝐞𝐧 𝐧𝐠𝐚 𝐣𝐞𝐭𝐚 𝐭ë 𝐢𝐬𝐡-𝐡𝐞𝐧𝐝𝐛𝐨𝐥𝐥𝐢𝐬𝐭𝐢𝐭, 𝐀𝐳𝐢𝐳 𝐌𝐚𝐤𝐢𝐪𝐢

𝐓𝐞𝐥𝐞𝐠𝐫𝐚𝐦 𝐧𝐠𝐮𝐬𝐡ë𝐥𝐥𝐢𝐦𝐢 𝐩ë𝐫 𝐧𝐝𝐚𝐫𝐣𝐞𝐧 𝐧𝐠𝐚 𝐣𝐞𝐭𝐚 𝐭ë 𝐢𝐬𝐡-𝐡𝐞𝐧𝐝𝐛𝐨𝐥𝐥𝐢𝐬𝐭𝐢𝐭, 𝐀𝐳𝐢𝐳 𝐌𝐚𝐤𝐢𝐪𝐢 E nderuara familja, Makiqi Me pikëllim të thellë…