Armend Mehaj sot dha dorëheqje nga posti i ministrit të Mbrojtjes, gjersa në vend të tij u emërua Ejup Maqedonci.
E dorëheqja e tij ka ngjallur reagimin e partive opozitare, gjersa kanë përmendur edhe dorëheqjet e mëhershme të ministrave nga Qeveria Kurti.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra tha se para Armendit, është dashur të shkarkohen e jo tu lejohet dorëheqja, Rozeta Hajdari, Mimoza Kusari – Lila, Martin Berishaj dhe 50 zyrtarë tjerë të përfshirë në afera korruptive e skandale të ndryshme.
“’Truri’ po ikë prej Albin Kurtit. Largimi i Rifat Latifit dhe Armend Mehajt, dy ardhje nga jashtë vendit, janë dëshmi se përbrenda kësaj Qeverie, jo vetëm qeverisja por edhe mentaliteti është i kalbur.ërndryshe, para Armendit, është dashur të shkarkohen e jo tu lejohet dorëheqja, Rozeta Hajdari, Mimoza Kusari – Lila, Martin Berishaj dhe nja 50 zyrtarë tjerë të përfshirë në afera korruptive e skandale të ndryshme.
P.S. Sa është fondi i sigurisë, Kryeministër?”, shkruan ajo.
Pas dorëheqjes së Mehajt ka reaguar edhe Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Ai tha se Kurtit i iku një ministër që të paktën publikisht s’ka qenë i përfolur për ndonjë skandal.
“Dy nga tre ministrat që i solli nga diaspora, Albin Kurtit i ikën nga Qeveria. Fillimisht detyrën ia la Rifat Latifi, e sot Armend Mehaj. Vetëm Donika Gërvalla po i qëndron akoma në qeveri, e të cilën do të bënte mirë ta shkarkonte vetë. Trurin që u zotua se do ta kthente prej jashtë, nuk po arrin ta mbajë. Zaten po e kuptojnë se me të s’bëhet një punë e hajrit. Dhe ashtu është.
Sot Kurtit i iku një ministër që të paktën publikisht s’ka qenë i përfolur për ndonjë skandal. Ndërsa atë vazhdojnë ta rrethojnë plot ministra të dyshuar për keqpërdorime e korrupsion dhe të tillë që shkelën Kushtetutën. Me gjasë ky është rrethi që po e do Kurti. Zaten ky është lloji i vartësve që i duhet”, tha ai.
Azemi i LDK-së tha se nuk duhet harruar se nga kjo qeveri kanë dhënë dorëheqje edhe të paktën tre zëvendësministra.
“Sikurse edhe ministrat e dorëhequr, edhe këta zëvendësministra, në qeveri u përfshinë si të jashtëm, pra nuk ishin pjesë e partisë në pushtet zyrtarisht. Kjo është njëfarë treguesi se në këtë qeveri kanë vend vetëm ata që i nënshtrohen linjës së Kurtit, përmes komandave të Dejona Mihajlit. Mos ta mendojë dikush që aty mund të shkohet për të dhënë kontribut si profesionist”, tha ai. /Telegrafi/