Reporteri i luftës Nuhi Bytyçi të hënën dëshmon në Hagë në procesin Thaçi dhe të tjerët

Reporteri i luftës, Nuhi Bytyçi, ka njoftuar se nesër, më 3 qershor, do të japë dëshminë e tij në Hagë në procesin ndaj ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe të tjerëve.

Bytyçi ka marrë ftesë zyrtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës për të ndarë të vërtetën e veprimtarisë së tij si gazetar gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së.

Në një deklaratë për opinionin publik, Bytyçi ka theksuar se dëshmia e tij, e cila pritet të fillojë të hënën pasdite, do të vazhdojë vijën e tij të konsistencës në përpjekjen për të treguar realitetin e asaj periudhe.

Reporter i luftës gjatë viteve 1998 dhe 1999, ai kujtoi edhe dëshminë e mëparshme në vitin 2019 dhe rëndësinë e dëshmisë së tij për të pasqyruar luftën e drejtë të popullit të Kosovës.

Bytyçi ndjeu krenari për punën e tij si gazetar dhe kontributin ndaj informimit të mirëfilltë gjatë luftës çlirimtare, e cila, siç theksoi ai, simbolizon sakrificën sublime dhe mbijetesën e popullit të Kosovës.

Ai përmendi se dëshmia e tij në Hagë do të mbetet e përkushtuar në të vërtetën e luftës, në mbrojtjen e imazhit të luftëtarëve të lirisë dhe në rilevancën e mbështetjes së marrë nga popullata civile.

“Lufta çlirimtare e UÇK-së ka qenë një përpjekje vendimtare për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, dhe  do të prezantoj provat që ka mbledhur si gazetar në atë kohë, duke u shprehur nëpër mediat lokale dhe ndërkombëtare me një perspektivë profesionale të ngjarjeve të luftës çlirimtare”, tha Bytyçi.

Related Posts