PDK shprehu keqardhje për humbjen e mundësisë për zgjedhje të parakohshme, por çfarë tha kandidati për kryeministër lidhur me mundësinë e koalicioneve

Partia Demokratike e Kosovës të enjten ka mbajtur mbledhje të Kryesisë, gjersa temë diskutimi ishin zhvillimet e fundit në vend.

Përveç mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka zhvilluar takim edhe me kolegjiumin e kryetarëve të degëve të PDK-së.

“Kryetari Krasniqi ka shprehur keqardhjen e tij për humbjen e mundësisë për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, pasi thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme”, u tha në njoftimin e PDK-së.

Krasniqi tha se Partia Demokratike e Kosovës e ka dëshmuar seriozitetin e saj për “t’i dhënë fund keqqeverisjes aktuale dhe se vazhdon të jetë e gatshme për cilindo variant që do të mundësonte zgjedhje të parakohshme”.

Sipas tij deri në zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë zëri më i fuqishëm opozitar në vend.

“Duke theksuar se Kosovës i duhet një Qeveri kredibile, e përgjegjshme dhe kompetente, që në qendër e vendosë interesin qytetar, Kryetari Krasniqi tha se PDK e ofron alternativën më të mirë për qytetarët e vendit, përmes vizionit dhe programit të kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza”, përfundon komunikata e PDK-së.

Por, a mund të ketë koalicion me Lëvizjes Vetëvendosje?

Për këtë ka folur kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.

Kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se nuk mund të ketë koalicion, përfshirë edhe me Lëvizjen Vetëvendosje pa miratimin e atij.

Ai në T7, tha se duhet të ketë edhe miratim nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e strukturat e partisë.

“Koalicioni i ardhshëm nuk mundet me u bë në asnjë moment pa vullnetin tim. Unë jam kandidat i PDK-së për kryeministër. Pa vullnetin tim, pa vullnetin e kryetarit Krasniqi e strukturave të partisë nuk mund të ketë koalicion”.

“Nuk është në fjalorin tim me vendos barriera, barrikada, mure të bashkëpunim komunikimit me gjitha partitë politikë në Kosovë. Jam i hapur me bisedu me çdo parti politike në Kosovë, me çdo politikan në Kosovë, për çdo temë, po edhe me pi kafe. Por jo nuk do të thotë se mund të pajtohemi”, ka thënë Hamza.

Related Posts
Lexo më shumë

Njoftim

Njoftim 14.06.2024 e premteKuvendit për Këshillin Lokal të Lagjes “Lakrishtë” Vendi: Shkolla “Xhevdet Doda” Regjistrimi i qytetarëve me…