Mbyllet QMF-ja në “Kalabri”, qytetarët ankohen: Na kanë marrë në qafë – komuna jep detaje

Mbyllja e Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF-IX) në “Kalabri” për shkak të renovimit, që parashihet të zgjasë deri në tre muaj, ka krijuar shqetësim tek qytetarët e kësaj rrethine në kryeqytet.Ani pse Komuna e Prishtinës ka dalë me njoftim disa ditë para mbylljes, ata thonë se nuk janë informuar për një gjë të tillë.Qytetarët e “Kalabrisë” e konsiderojnë sfidë mbylljen e kësaj qendre dhe vizitën nëpër QMF-të e tjera të kryeqytetit.

Isuf Ahmeti për KosovaPress thotë se për shkak të moshës dhe lëvizjes së shpeshtë të veturave do ta ketë të vështirë të shkojë për vizitë në QMF-të e tjera të kryeqytetit.

Madje, ai shprehet skeptik që procesi i renovimit do të përfundojë brenda tre muajve siç është premtuar, derisa tregon se nuk është njoftuar për këtë vendim të komunës.  Po ashtu, edhe Bajram Çitaku potencon se nuk ka qenë i informuar për mbylljen e Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen e tij, e cila u bë me 3 qershor.

Mos marrjen e shërbimeve për shkak të renovimit përgjatë tre muajve, Çitaku e konisderon si dëm të madh për qytetarët.

Shaban Kolaj tregon se për shkak të moshës së shtyrë, ka nevojë që të vizitohet tek mjeku më shpesh, derisa shpreson që riparimi i kësaj qendre të bëhet sa më shpejtë.Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Izet Sadiku thotë se mbyllja e QMF-së në “Kalabri” është bërë për shkak të nevojës për renovim.

Qytetarët e “Kalabrisë” mund të vizitohen dhe të marrin shërbime mjekësore nëpër të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare në kryeqytet

Related Posts