Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka uruar me rastin e Ditës së Goranëve.
Këtij komuniteti, Kurti u ka thënë se kanë dhënë kontribut të rëndësishëm, të veçantë e të çmueshëm.
“Republika e Kosovës është Republikë e të gjitha komuniteteve. Sot e shënojmë e festojmë ditën e komunitetit goran, për të cilën dhe i urojmë të gjithë qytetarët nga ky komunitet. Kontributi i juaj në jetën shoqërore të vendit tonë, mbetet i rëndësishëm, i veçantë dhe i çmueshëm. Vitin e kaluar, kam patur mundësinë të takohem përsëri me përfaqësues tuaj, si në Prishtinë, por po ashtu dhe gjatë një vizite në Dragash”, ka uruar Kurti.
Kryeministri tha se Qeveria e tij ka dëshmuar “se askush, nga asnjë komunitet, nuk do të lihet pas, por do të jetë pjesë e zhvillimit e progresit tonë, ku politikat progresiste të shtetit mbërrijnë tek të gjithë”.
“Andaj dhe nuk kanë munguar investimet e qeverisë sonë si në përmirësimin e infrastrukturës, por edhe mbështetjes ekonomike, ndërtimit të shtëpive, përfitimit nga kuotat e punësimit apo dhe verifikimit të diplomave”, thotë ai.
“Kjo ditë feste na rikujton se bashkë kemi bërë shumë, por mund të bëjmë ende më shumë. Do të vijojmë punën në mbrojtjen, promovimin e mbështetjen e komunitetit goran”, thotë Kurti.