Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka mbushur sot 57 vjet.
Një urim për ditëlindjen e tij e ka bërë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, transmeton Telegrafi.
Krasniqi ka shpërndarë një fotografi me Veselin ku mbishkrim ka vendosur “Urime ditëlindja, Kryetar, dielli do të lind përsëri”.
Ndryshe, në Gjykatën Speciale aktualisht janë duke u zhvilluar disa gjykime ndaj ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndër gjykimet që po vazhdon është edhe ai ndaj Veselit, ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.
Ata kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që i kanë mohuar.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.