40 fitore, klubit të basketbollit Trepça i sollën katër trofe. Stinori 2023/24 do të mbahet mend si historik për klubin. E për tifozët, të cilët në tribuna shpesh djersiten e përjetojnë më shumë se basketbollistët në parket, është mirënjohja dhe gëzimi më i madh në 40-vjetorin e organizimit të tyre si grupi Torcida. Trepça këtë stinor u shpall kampion i Kosovës, fitoi Superkupën e Kosovës, Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike me Shqipërinë.
Ndërkaq, fakti që ekipi U-12 është po ashtu kampion sivjet dhe fitues i Kupës së Kosovës për këtë grup moshë, tregon që Trepça nuk është vetëm e tashmja por edhe e ardhmja e basketbollit në vend.