Ekzistojnë dyshime nga biznese të ndryshme se Gjykata Komerciale vendos në favor të agjencive qeveritare, kur ato janë në kontest me kompanitë private. Këto shqetësime i kanë ngritur vetë kompanitë private duke aluduar mbi “presione politike”, si dhe përmendin edhe “zvarritje të qëllimshme” ndaj rasteve që janë të përfshira dhe shtyrje të vendimeve të arbitrazheve. Për këto shqetësime është në dijeni edhe Klubi i Biznesit dhe lidhur me këtë temë është intervistuar nga Gazeta Express, Drejtori menaxhues i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi. Ai thotë se institucioni që ai udhëheq ka marrë shqetësime nga anëtarët që operojnë në Kosovë dhe nga ata që e shikojnë mundësinë për të investuar në vendin tonë. I njëjti vlerëson se në një mjedis të tillë nuk mund të tërheqësh investitorë të huaj dhe si rrjedhojë largohen edhe vendorët.
Ilir Ibrahimi, kur flet mbi dyshimet për anshmërinë e Komerciales, bazohet në raportet ndërkombëtare të cilat kanë theksuar ndikimet politike në sistemin gjyqësor.
Raporte kredibile ndërkombëtare kanë theksuar ndikimet politike në gjyqësor si një shqetësim. Gjykatat duhet të jenë arbitri i pavarur ndërmjet palëve, edhe kur njëra palë është një agjenci qeveritare. Fatkeqësisht, vazhdojmë të shohim një lloj anshmërie kur kontesti është ndërmjet qeverisë dhe një kompanie private. Kjo është shumë e dëmshme për biznesin pasi ai mbetet pa mbrojtje dhe kjo ndikon në ekonominë e vendit”, shprehet Ibrahimi për Gazetën Express.
Ai thekson se shqetësime të kësaj natyre ka pranuar Klubi i Biznesit në vazhdimësi.
“Siguria dhe paanshmëria juridike janë parakushte për ekonomi të qëndrueshme dhe për investitorët, qoftë të brendshëm apo të jashtëm. Klubi i Biznesit ka marrë kësi shqetësimesh vazhdimisht, nga anëtarët që operojnë në Kosovë dhe nga ata që shikojnë mundësi për të investuar në Kosovë”, thotë ai.
Ibrahimi thekson se vonesa në zbatimin e vendimeve të arbitrazhit e dëmton palën humbëse, e cila duhet të kompensojë edhe vonesat e shkaktuara.
“Vendimet e arbitrazhit nuk mund të apelohen dhe duhet të zbatohen. Vonesa e zbatimit të këtyre vendimeve e dëmton edhe më tepër palën humbëse, e cila detyrohet të kompensojë edhe për vonesat e shkaktuara. Nuk ka asnjë shpjegim logjik për këto vonesa, përveç se qasjes populiste në vendime”, shpjegon Ibrahimi.
Si rrjedhojë e fenomenit të “presionit politik”, ekziston shqetësimi për largimin e investitorëve nga mjedisi ynë.
“Këtë fenomen e kanë vënë në pah edhe raportet e institucioneve kredibile ndërkombëtare. Kjo është shumë e dëmshme sepse në një mjedis të tillë jo që nuk mund të tërheqësh investitorë të huaj, por largohen edhe ata vendorë, siç tanimë kemi filluar të shohim”, thotë Ibrahimi.
Ibrahimi kritikon shtetin se nëse bëhet “palë dominuese”, shkatërrohet ekonomia bazuar në parimet e ekonomisë së lirë të tregut.
“Shteti duhet të jetë në shërbim të biznesit dhe jo të bëhet palë dominuese. Biznesi duhet të ketë mbrojtje dhe nëse atë nuk e gjen as në gjykata, atëherë kjo e shkatërron ekonominë e bazuar në parimet e ekonomisë së lirë të tregut. Në këtë lloj ekonomie, shteti nuk guxon ta shohë veten si konkurrent me biznesin, sepse një relacion i tillë nuk i jep asnjë shans për mbijetesë dhe zhvillim biznesit”, thekson Ibrahimi.
Ibrahimi përmend rastet kur shteti në sisteme moniste kontrollon ekonominë kësisoj varfëron shoqërinë.
“Vetëm në sisteme moniste, si ai komunist, shteti dominon dhe kontrollon ekonominë, por të gjithë e dimë që ai sistem është tragjik për ekonominë dhe varfërues për shoqërinë”, përfundon ai.
Disa nga bizneset që kanë ngritur dyshime mbi punën e njëanshme të Gjykatës Komerciale, në kushtete anonimiteti janë shprehur se gjykata tregon një shpejtësi të madhe në trajtimin e rasteve ku është e përfshirë qeveria, ndërsa rastet e kompanive private vazhdojnë të zvarriten pafundësisht.
“Kjo sjellje tregon një anshmëri të qartë dhe dëmton rëndë besimin e qytetarëve dhe bizneseve në sistemin gjyqësor”, është një nga shqetësimet e tyre.
“Vonesat dhe anshmëria në vendimet gjyqësore kanë pasoja të drejtpërdrejta për ekonominë. Investitorët e huaj, të cilët kërkojnë një mjedis të drejtë dhe të qëndrueshëm ligjor, mund të largohen nga Kosova, duke ndikuar negativisht në rritjen ekonomike dhe zhvillimin. Nëse Kosova dëshiron të sigurojë një vend në organizatat ndërkombëtare si Këshilli i Evropës, ajo duhet të demonstrojë se ka një sistem gjyqësor të pavarur dhe të drejtë”, vijojnë ankesat e kompanive private.
Prandaj ata kërkojnë që Gjykata Komerciale të marrë përgjegjësi për veprimet e saj dhe të fillojë reformat e nevojshme për të rikthyer besimin e publikut.