Dioqeza Rashkë-Prizren i përgjigjet Çekut: Renovimin e Manastirit të Banjskës e bëjmë vetë

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, i është përgjigjur deklaratës së ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, për sa i përket restaurimit të Manastirit të Banjskës, pas dëmtimeve nga sulmi terrorist i 24 shtatorit.

Aty bëhet e ditur se paratë për rinovimin e dëmeve në Manastirin e Banjskës, Dioqeza Rashkë – Prizren, i ka siguruar falë një donacioni.

“Duke qenë se dëmi i Manastirit të Banjskës më 24 shtator nuk u shkaktua në kishë ose në seksionin historik, por përfshinte një portë metalike me origjinë të kohëve të fundit dhe dëmtime në konakun jashtë kompleksit kryesor të manastirit, duke kërkuar riparime bravandreqës dhe zdrukthtari, ne e gjykojmë të nevojshme për të informuar opinionin se Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit tashmë ka siguruar mjetet e nevojshme për këto riparime, falë një donacioni nga Fondacioni i Manastirit Hilandar dhe se së shpejti do të riparohen dëmet”.

“Prandaj, ne besojmë se është thelbësore që çështjet, siç është dëmi në Manastirin e Banjskës, të zgjidhen në kuadër të dialogut të Brukselit, i cili ndër të tjera parashikon formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”, thuhet në reagim.

Kujtojmë se pretendimet e Dioqezës Rashkë – Prizren, bien poshtë nga letra e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili në letrën e 6 tetorit, dërguar Peshkopit të Dioqezës Rashkë – Prizren, Teodosije, e ka konfirmuar gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprime të nevojshme për sanimin e dëmeve të shkaktuara nga sulmi terrorist i datës 24 shtator.

Related Posts