Shyqyr u çliruam dhe do të shkojmë në shkollë”, ishin fjalët e Besmirës e cila u vra nga forcat serbe një ditë para 12 qershorit të vitit 1999. 10-vjeçarja e cila nuk gëzoi lirinë, atë ditë po përjetonte gëzimin e madh se do të kthehej në shtëpi, një vit pasi po qëndronin me familjen e saj në tendat e improvizuara në “Lugun e Madh” të Drenasit.
Në lapidarin e oborrit të shkollës “Rilindja” të fshatit Dobroshec të Drenasit, janë gdhendur emrat dhe fotografitë e Besmirës dhe dy fëmijëve të vrarë në Poklek të cilët kishin vijuar mësimin në të njëjtën shkollë.Babai i Besmirës, Enver Hajdari rrëfen për mëngjesin e hershëm të 11 qershorit, ku mbeti e vrarë vajza e tij.
Besmira, e cila atë kohë ishte 10-vjeçare, u vra në gjumë nga forcat serbe.
Babai i Besmirës tregon se e kishin varrosur në mal dhe pas dy javëve e kishin zhvarrosur në varrezat e fshatit.25 vjet pas luftës, ai flet në klasën dhe vendin ku ulej në klasë Besmira, e cila po vijonte klasën e tretë të shkollës fillore “Rilindja” në Dobroshec të Drenasit.
Enveri, i cili ishte vet pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thotë se kur filloi lufta në fshatin e tyre ishin detyruar që t’i rezistonin terrorit serb dhe të zhvendosnin familjet e tyre në Lugun e Fatit për më shumë se një vit.
Pas vrasjes se Besmirës, “Lugu i Madh” është emërtuar si “Lugu i Besës”.Emrin e Besmirës tashmë është përtërirë dhe emrin po e gëzon mbesa e Enverit. Ajo ka shkruar edhe një poezi për hallën e saj.
Babai i Besmirës, Enver Hajdari thotë se nuk ndjehen rehat dhe bën thirrje për drejtësi për gjithë fëmijët e vrarë ne luftë.