BE thotë se “nuk duhet spekuluar” rreth raportit të Borrellit për masat ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian ka thënë se afati i dorëzimit të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian.

Kështu ka thënë hënën zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, duke u përgjigjur në pyetjet se kur mund të pritet dorëzimi i raportit dhe çfarë pritet të jetë përmbajtja e tij.

“Para së gjithash, raporti i Përfaqësuesit të Lartë ishte kërkuar nga Këshilli. Pra, shtetet anëtare kanë kërkuar nga Përfaqësuesi i Lartë t’ua dërgojë atë raport dhe ai do t’ua dërgojë raportin vendeve anëtare. Këto vende anëtare do të jenë të parat që do të dinë se çfarë përmban raporti. Kjo akoma nuk ka ndodhur”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

Sipas Stanos, raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi është pyetur për të komentuar një qëndrim të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, i cili ditë më parë ka thënë se ka “informata se Borrell ka përgatitur raportin e tij dhe se ai ka propozuar heqjen e masave ndaj Kosovës”.

“Vendet anëtare do të jenë të parat që do ta dinë përmbajtjen, do të diskutohet, dhe më pas të merren vendimet e nevojshme”, ka thënë Stano, duke paralajmëruar që për dorëzim të raportit do të njoftohen edhe autoritetet e Kosovës.

“Ne nuk shohim nevojë të spekulohet nga ana e akterëve të ndryshëm”.

Ka kaluar më shumë se një vit që Bashkimi Evropian ka vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, pas përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.

BE-ja pati vlerësuar që Kosova nuk ka marrë hapa të mjaftueshëm për të shmangur konfliktin.

Stano ka bërë thirrje sërish që të ndërmerren të gjithë hapat për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet nxitëse dhe të njëanshme.

“Natyrisht se ne jemi të shqetësuar për situatën në veri [të Kosovës], sepse kemi parë në të kaluarën hapa të njëanshëm, të pakoordinuar, që kanë çuar deri te përshkallëzimi i ri. Dhe kjo lidhet edhe me çështjen e masave. Përshkallëzimi i vazhdueshëm rezultoi me masat e BE-së”.

Ai ka përmendur që edhe Qeveria e Kosovës, por edhe pala serbe, kanë obligim që të bëjnë gjithçka që munden për të shmangur ndonjë përshkallëzim eventual.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Related Posts
Lexo më shumë

AAK thërret konferencë për media

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë nesër konferencë për media. “Nesër, më datë 13 tetor, në…