Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas arrestimit të Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, nën dyshimet se kanë bashkëpunuar me shërbimin e inteligjencës serbe BIA.Limaj në Politico të Kanal 10 ka thënë se këto arrestime nuk janë asgjë e pazakontë, pasi shërbimet e shtetit të Kosovës ballafaqohen me këso arrestime.“Për mua asgjë nuk është e pazakontë, shërbimet tona të sigurisë janë në beteja të përditshme, vetëm këtë herë është ndryshe pasi është bërë publike është bërë arrestimi i tyre, përndryshe nuk është diçka e pazakontë”, tha ai duke shtuar se UDB-ja në Kosovë është e zgjeruar dhe zhvilluar në nivele shumë të larta.
Policia e Kosovës sot ka dhënë disa detaje të reja për rastin e arrestimit të Shabanit dhe Qerimit në Ferizaj. Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska dhe gaz-maska ushtarake
Prokuroria Speciale ndaj të dyshuarve ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.