Sot janë mbushur saktësisht 100 vjet që nga dita kur Fan Noli u bë Kryeministër i Shqipërisë. Ishte 16 qershori i vitit 1924, kur ai u vendos në krye të qeverisë shqiptare dhe e ngriti një kabinet qeveritar me shtatë ministri, njëra prej të cilave pa portofol. Në kabinetin e Nolit, Sulejman Delvina ishte Ministër i Jashtëm; Rexhep Shala – Ministër i Brendshëm; Luigj Gurakuqi – Ministër i Financave; Stavro Vinjau – Ministër i Arsimit; Kasëm Qafëzezi – Ministër i Luftës; Qazim Koculi – Ministër i Bujqësisë dhe Xhemal Bushati – Ministër pa portofol.
Fan Noli erdhi në krye të Shqipërisë si kryeministër i qeverisë së saj, si një nga drejtuesit e Lëvizjes së Qershorit, një organizimi opozitar që në mes të qershorit 1924, e pëmbysi qeverinë e kryeministrit Iljaz Vrioni, i cili ishte një eksponent në pushtet i liderit politik të atyre viteve, Ahmet Zogut. Kjo përmbysje që është quajtur edhe revolucion, ishte rezultat i përplasjeve të ashpra dhe rivaliteteve të forta politike në vitet e para pas Luftës së Parë Botërore, kur po përcaktohej natyra e shtetit shqiptar dhe kur po definoheshin kufijt e tij.
Më 19 qershor, tre ditë pasi ishte konstituar, qeveria e Nolit e shpalli programin e saj të reformave prej 20 pikash, në të cilin ndër të tjera parashihej vendosja e demokracisë në Shqipëri; çarmatosja e banorëve dhe vendosja e rendit dhe ligjit; lartësimi i autoritetit të shtetit mbi çdo fuqi personale ose të paligjshme; pavarësi e plotë e sistemit të drejtësisë; reforma në administratën shtetërore dhe thjeshtësim i burokracisë në të; reforma agrare; lehtësira në hyrjen e kapitalit dhe investimeve të huaja në vend; ndryshime në sistemin e taksimit; investime në infrastrukturën rrugore; investime në sistemin e shëndetësisë dhe në sistemin arsimor; si dhe marrëdhënie të mira miqësore me të gjitha shtetet dhe sidomos me shtetet fqinje. Siqoftë, këto reforma nuk erdhën as për së afërmi në shprehje të realizoheshin, pasi që Noli qëndroi në detyrën e kryeministrit vetëm gjashtë muaj.
Teksa Fan Noli si kryeministër i nisi muajt e parë të qeverisjes së Shqipërisë, në anën tjetër, Ahmet Zogu që pas largimit nga Shqipëria ishte strehuar në Beograd, e organizoi një rikthim në pushtet po me forcë dhe trupa të armatosura, siç edhe e kishin larguar. Në dhjetor të vitit 1924, pas vetëm gjashtë muajsh prej kur ishte vendosur në detyrën e kryeministrit, Fan Noli bashkë me qeverinë dhe mbështetësit e krahut politik të tij, u përmbysën nga Ahmet Zogu.
Pak kohë pas largimit nga Shqipëria, Noli e gjykonte kështu qeverinë e drejtuar prej tij në një artikull që e botoi te Gazeta “Dielli”: “Qeveria e Qershorit 1924 nuk qe ideale, vërtet. Mungesat e saj s’munt t’ia dijë askush më mirë se i nënshkruari, që e ka parë maqinën e saj të punojë për së afërmi. Po, pasi t’i ngarkojmë mi kurris kritika mi kritika, duhet të nëmërojmë në favor të saj ca të mira për faqe të bardhë: njerëzit e saj qenë patriot të kulluar; qenë mprojtës të pasurive të shtetit; qenë të nderçim; qenë të qytetëruar; qenë liberal; qenë njerës të kanunit.”
Përkundër kohës së shkurtër sa qe në krye të Shqipërisë si kryeministër i saj, Fan Noli dha shembullin e një burrështeti që u përpoq ta orientonte drejt Shqipërinë si një vend që do të demokratizohej. Për fat të keq, përpjekja e tij ishte e para në atë periudhë fillesh të shtetndërtimit shqiptar dhe mbeti e tillë deri në dekadën e fundit të shekullit. Pas largimit të Nolit nga zyra e kryeministrit, për Shqipërinë do të niste një periudhë e gjatë pushtetesh autoritare dhe diktatoriale. Eruditi Theofan Stilian Noli, do të jetonte edhe dyzet vjet të tjera deri më 1965, duke e ndërtuar një profil mbresëlënës prej dramaturgu e poeti, teologu e studiuesi, përkthyesi poliglot, politikani patriot e njeriu të përkushtuar për shqiptarizmën.
Në 100-vjetorin e zgjedhjes së Fan Nolit, Kryeministër i Shqipërisë.